
Ecje në natyrë ( Hiking)
Maja e Dajtit – Maja e Tujanit - Ky shteg ju çon në majën më të lartë të Malit të Dajtit duke kaluar përmes Qafës së Qershive. Shtegu kalon pas ish-kampit të pioniereve dhe i ngjitet shpatit të malit mes përmes aheve shekullore. Terreni është mesatarisht i pjerrët. Gjate shtegut, përveç drurëve madhështorë do të ndeshni edhe një larmi peizazhesh interesante. Qafa e Qershisë (quhet kështu pasi aty gjenden disa drurë qershie të egër) është vendi i përshtatshëm për të pushuar ndërkohë që vendosni se cilen majë të pushtoni të parën. Mund të vazhdoni majtas drejt Majës së Tujanit (1531 m) apo djathtas drejt Majës së Dajtit (1612 m). 100-150 m mbi Qafën e Qershisë do të arrini në ballkonin lindor të Malit të Dajtit, nga ku mund te shijoni panoramën e Malit me gropa apo malet qe ndajnë Tiranën me Matin dhe Krujën. Në majë të Dajtit ju mund të shijoni pamjet e mrekullueshme që ju shfaqen përpara ne 360º të horizontit, deri në brigjet e Adriatikut. Gryka e Tujanit - Shtegu fillon nga tarraca e Dajtit duke marrë majtas drejt faqes verilindore të Malit të Dajtit. Një pjesë e shtegut kalon nëpër zonë ushtarake, ndaj është e këshillueshme të merret leje para se të kalohet. Shtegu është pothuajse i sheshtë dhe kalon përgjithësisht nën hijen e pemëve. Tek Qafa dhe Shkëmbi i Gomarit ju mund të shikoni grykën e mrekullueshme të Tujanit dhe luginën shkëmbore të lumit të Tiranës. Duke ecur nëpër një tunel të shkurtër (50 m) ju do të dilni në ballkonin verilindor të Dajtit nga ku mund të shihni Liqenin e Bovillës (furnizuesi me ujë të pijshëm i kryeqytetit) dhe Malësinë e Krujës dhe pjesë të Parkut Kombëtar Qafështamë. Rruga e Arbrit, që lidh Tiranën, me Matin dhe Dibrën gjarpëron nën këmbët tuaja. Tek qafa e Gomarit, nëse devijoni pak djathtas, duke ecur mes pyjeve hijerëndë dhe livadheve gjelbëroshe do të arrini tek Tenda e Udhëheqjes (një ballkon natyror i sistemuar si pike vrojtimi) nga ku shihet si në pëllëmbë të dorës e gjithë hapësira nga Tufina në Priskë (përfshirë qytetin e super zgjeruar të Tiranës). Kalaja e Dajtit- Nga Tarraca e Dajtit marrim djathtas duke ndjekur për pak rrugën automobilistike që zbret nga Dajti. Pasi kaloni Qendrën e Vizitoreve do të ngjiteni në një shteg, i cili vazhdon drejt pjesës jugore të malit të Dajtit. Duke ecur mes drurëve të larmishëm (ahe, pisha, rrobull) dhe gjelbërimit ju do të kaloni një sërë pamjesh të mrekullueshme derisa të arrini tek rrënojat e Kalasë së Dajtit. Gjatë rrugës, mos harroni të vizitoni “strofkën e ariut” një shpelle vogël, e cila vërtet mund të përdoret edhe nga kafshët e egra si vend strehimi, por më shumë kënaq kërshërinë e fëmijëve. Kalaja e Dajtit është pjesë e kulturës dhe mendohet të jetë ndërtuar rreth viteve 600. 25 km nga Tirana, në një lartësi prej 1200 m ajo dominon gjithë fushën e Tiranës dhe ultësirat përreth. Kalaja ka pasur formë trekëndore dhe një perimetër prej 550 m. Muret janë 2.3 m të trasha. Për tu kthyer mund të merrni rrugën auto që ndodhet rreth 150 m më poshtë kalasë.